
Mediat franceze mbrëmë tronditën futbollin kosovar, duke publikuar disa shkrime në lidhje me kurdisje të ndeshjeve. E, skuadra e Llapit ishte ajo që dyshohet se ka bërë trukim gjatë sezonit të kaluar.
Dhe një nga ndeshjet që dyshohet të jetë kurdisur është ajo mes Llapit dhe Feronikelit, e luajtur gjatë vitit 2022, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të cilin e fituan vendasit me rezultatin 4:2.
Është mjaft interesante të shihen golat e shënuar në këtë ndeshje. Llapi shënon katër gola në pjesën e parë, ndërsa pëson dy në të dytën.
Pikërisht dy golat e shënuar nga Feronikeli lënë hapësira për dyshim. Në të parin, reagimi i mbrojtjes së Llapit është qesharakë, ndërsa në të dytin, portieri vendas del nga porta dhe humb duelin me sulmuesin e Niklit, Kiqinën.
Në fakt, Feronikeli në atë periudhë luante me lojtarë të rinj për shkak të problemeve financiare. Feronikeli u shua si klub, ndërsa një klub i ri, Feronikeli ‘74 hyri në mënyrë të dyshimtë në Ligën e Parë këtë sezon.