Nuk u kthye te Kosova deri u ndërrua trajneri, Paqarada: Kam pritur gjatë, jam i lumtur

Leart Paqarada padyshim është një emër me vlerë që është rikthyer në ekipin kombëtar për ndeshjet e muajit mars.

Sezoni fantastik me St.Pauli dhe kontrata e re që nënshkroi muaj më parë me Köln i paraprijnë ftesës nga trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse.

Vet Learti në përgjigjet dhënë Gazetës Arena, shprehet i lumtur me rikthimin në ekipin kombëtar.

“Jam shumë i lumtur që po rikthehem. Kam pritur gjatë për këtë ditë dhe mezi e pres të kthehem dhe ta ndimoj ekipin”, thotë 28-vjeçari 

Mbrojtësi i majtë, thekson se të dy ndeshjet janë të vështira, por pret start të mirë nga Kosova.

“Dy ndeshje të vështira mirëpo nëse duam të kualifikohemi për “Euro 2024”, është shumë e rëndësishme të startojmë mirë”, përfundon Paqarada.

Paqarada me Kosovën ka 21 paraqitje, duke u vlerësuar lartë për performancat teksa ka shënuar edhe një gol.