Armando Broja ëndrron Topin e Artë / Sulmuesi shqiptar flet për revistën ‘World Soccer’: Kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Botëror

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Chelseat, Armando Broja, ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze “World Soccer” ku ka folur për karrierën e tij, procesin e rikuperimit nga dëmtimi, vizionin e tij, por edhe për marrëdhëniet me trajnerin e ri të Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior.

Broja është i bindur se me talentin që ka Shqipëria mund të arrijë të luajë në finalet e turneve më madhore në planet siç janë Europiani dhe Botërori, teksa në nivel personal nuk i vendos limite vetes dhe synon të arrijë majat.

Cilat janë disa nga synimet më të mëdha që doni të arrini në karrierën tuaj si futbollist?

“Kam pasur gjithmonë besim për të synuar sa më lart dhe të kem objektivat më të mëdhenj të mundshëm për të arritur. Nuk ka kuptim t’i vendosësh vetes objektiva të ulët që mund të arrihen lehtësisht.

Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Champions League. Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem edhe më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë.”