
Kombëtarja dardane ka mbajtur sot paradite stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali nën reshjet e shiut, të cilat kanë sjellur freski tek lojtarët.
Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, teksa së bashku me stafin e tij krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe atyre me top, ka punuar në tranzicion të ekipit nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit dhe anasjelltas. Përkushtimi i Dardanëve në stërvitje është maksimal, derisa dëshira që në dy ndeshjet e radhës të marrin rezultat pozitiv është e madhe, të vetëdijshëm për faktin se vetëm në këtë mënyrë mbesin në garë për kualifikim në Euro 2024. Futbollisti Jetmir Topalli foli për kamerat e FFK-së dhe tha këto fjalë:
“Më të vërtetë është ndjenjë e mirë të jem këtu dhe i falënderoj për ftesën përzgjedhësin dhe Federatën, e gjithashtu i falënderoj lojtarët për pritjen shumë të mirë. Ndihem sikur të isha për kohë të gjatë pjesë e Kombëtares. Jemi si familje dhe jam shumë i lumtur dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjendja e ekipit është e mirë, jemi duke u përgatitur maksimalisht me ritëm të ngadaltë, por në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj që në ndeshjen ndaj Rumanisë ta bëjmë atë që dimë më së miri. Objektivat tona tashmë dihen dhe do të futemi në lojë me objektiv të qartë për të fituar si në ndeshjen ndaj Rumanisë ashtu edhe ndaj Bjellorusisë. Kështu që të gjithë lojtarët jemi të vetëdijshëm se duhet të futemi për ta fituar ndeshjen dhe do ta bëjmë maksimumin për ta arritur një gjë të tillë. Pres nga ‘Dardanët’ të jenë në numër sa më të madh në stadium e të na përkrahin, e ne ta kryejmë punën tonë që t’i bëjmë ata të lumtur”, ka thënë Topalli.
Jetmir Topalli: “Jemi si familje. Synimet janë të qarta, t’i fitojmë të dyja ndeshjet…” 🇽🇰🙌🏼 pic.twitter.com/emQD4QIvNI
— LIG Sport (@lig_sport) June 11, 2023