Berisha s’ka luajtur futboll nga qershori, thotë se “Dardanët” janë gati: Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin edhe ata

Kombëtarja e Kosovës është duke u përgatitur intensivisht për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

Përzgjedhësi Primozh Gliha ka shfrytëzuar seancën e djeshme për një ndeshje testuese. Ai ka ndarë futbollistët në dy ekipe për të vlerësuar formën e secilit dhe për të zbatuar në fushë taktikën e duhur për ndeshjen e ardhshme me Zvicrën.

Futbollisti Valon Berisha nuk ka luajtur futboll nga muaji qershor, por u ftua në këto dy ndeshje. Ai thotë se “Dardanët” janë gati për përballjen ndaj Zvicrës.

“Jemi duke u përgatitur për Zvicrën. E dimë që është kundërshtare e fortë. Kemi zhvilluar dy ditë stërvitje intensive, për t’iu përshtatur ritmit të lojës dhe të caktojmë sistemin se si do të futemi në ndeshje. E kemi analizuar Zvicrën. Kanë qenë dy stërvitje të mira. Ekipi është në fokus, pasi e dimë që Zvicra është kundërshtare e fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Por në futboll të gjithë e dimë se gjithçka është e mundur. Nëse organizohemi mirë dhe japim maksimumin, ekziston mundësia për të nxjerr një rezultat pozitiv. Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin edhe ata.

“Të gjithë e dimë se stadiumi do të jetë i mbushur dhe do të ketë atmosferë të mirë, por sigurisht se do të jetë edhe një ndeshje e vështirë. Të gjithë e dimë këtë. Ne do të mundohemi për një rezultat pozitiv. Atmosfera është e mirë në grup, trajneri fokusin e ka tek ekipi, jo zhurma përreth. Falënderojmë ‘Dardanët’, por edhe të gjithë që na mbështesin dhe na shikojnë në çdo ndeshje. Besojmë se do t’i kemi mbështetës edhe në ndeshjet e ardhshme”.