
Rapidi i Bukureshtit ka sqaruar arsyen që sulmuesi Albion Rrahmani nuk është ndalur para gazetarëve për të folur pas barazimit pa gola ndaj Otelul Galatit, të dielën.
Mediumet rumune kanë shkruar se Rrahmani ka refuzuar të flasë, ndërsa kanë paralajmëruar gjobë ndaj Rapidit për shkak të veprimit të lojtarëve, të cilët janë të obliguar të flasin pas ndeshjeve bazuar në marrëveshjen për të drejtat televizive.
Megjithatë, Rapidi të hënën ka dalë me një komunikatë në lidhje me këtë çështje dhe ka shpjeguar se ky veprim i Rrahmanit nuk ishte formë e protestës për incidentet që ndodhën në ndeshjen Rumani – Kosovës, por për shkak një problemi shëndetësor. Javën e shkuar, Kosova u mposht nga Rumania 2:0 në Bukuresht, ndërsa ndeshja në pjesën e parë u ndërpre për 50-të minuta shkaku i shpalosjes së mesazhit “Kosova është Serbi” në tribuna.
Rrahmani u aktivizua në pjesën e dytë në këtë takim te Kosova, ndërsa UEFA tashmë ka hapur procedurë disiplinore ndaj Rumanisë, e cila ngarkohet me pesë akuza, përfshirë edhe atë për racizëm.
“Pas përfundimit të ndeshjes në Galati, sulmuesi Albion Rrahmani u akuzua nga disa prej shtypit sportiv se nuk pranoi të marrë pjesë në intervistat pas ndeshjes. Klubi ynë e njeh shumë mirë manualin mediatik dhe detyrimin e lojtarëve të caktuar me emër nga mbajtësit e të drejtave televizive për të marrë pjesë në intervistat flash pas ndeshjes. Për këtë arsye theksojmë se mungesa e Rrahmanit nuk ka të bëjë fare me incidentet e ndodhura në ndeshjen e kombëtares me përfaqësuesen e Kosovës, siç spekulohet nga disa nga shtypi sportiv”, ka shkruar Rapidi.
“Ai nuk u paraqit për shkak të problemeve mjekësore, me të cilat u përball gjatë javës së kaluar. Albioni kishte një infeksion dhe i është dashur intervenimi kirurgjik. Me kërkesë të përfaqësuesve të klubit tonë dhe me pëlqimin e bartësve të drejtave televizive, Rrahmani është zëvendësuar në intervista nga një tjetër lojtar”.