Ilir Daja mund të jetë trajneri i ri i Kosovës. Të paktën kështu u fol në mediat shqiptare gjatë ditës së sotme. Emisioni “Koha Shtesë” ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e njohur Granit Tërstena, për të komentuar dhe folur më shumë detaje rreth kësaj piste.
“Inati dhe xhelozia te ne është e madhe si shqiptarë, ndikon shpesh. Unë uroj që nëse Ilir Daja do të jetë zgjedhje e Ademit, të mos ketë njerëz që të ndikojnë dhe të flasin keq për Dajën. E vlerësoj Dajën si trajner, padyshim që po, është fantastik. Ka arritur histori këtu në Kosovë dhe po flitet se do të jetë trajneri i ri, të paktën nga mediat. Megjithatë Kosova ka aq shumë probleme tani, sa nuk është pjesa e trajnerit në rendin e parë. Fillimisht është pjesa e stadiumit, në gjendje katrahure.
“Ka vërtet shumë gjëra që duhen diskutuar në fillim, edhe mua nëse do më ftonin për të qenë trajner te Kosova, ndoshta nuk do të pranoja tani pa u zgjidhur disa probleme, lërë me Dajën (qesh). Nëse Ademi do ta telefononte tani Dajën, unë mendoj se do të thoshte: “Më lini njëherë te Ballkani në Europë dhe pastaj flasim prapë”. Them kështu se Kosova do të ketë ndeshjen e parë zyrtare tani në shtator të 2024. Ka aq shumë kohë tani dhe janë kaq shumë probleme për t’u zgjidhur, sa nuk është në rendin e parë trajneri. Pse nuk u festua arritja në Europian? Ne shqiptarët kemi filluar të kursejmë paratë që tani për të shkuar në Gjermani dhe prandaj nuk zgjodhëm që të festojmë pas Ishujve Faroe(qesh). Duhet t’i japim shumë komplimenta lojtarëve, kjo Shqipëri është më e mira që unë kam parë, kemi shkelur me plot kuptimin e fjalës Poloninë dhe çekët, kjo nuk është pak mos harroni.
“Armando Broja do të jetë pjesë e Europianit të Gjermanisë. Kam vetëm një frikë, që Shqipëria është grup me Silvinjon dhe sa do ta gjejë veten Broja në të. Megjithatë është pjesë e Premier League dhe nuk besoj se do të jetë problem për të. Të mungojë Broja në Europian? I kam parë diskutimet, por për mua është sikur Franca të lërë jashtë Kilian Mbappe. Krahasimi mund të jetë pak i lart, por për mua vlen edhe këtu”, tha gazetari Tërstena