Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë e Silvinjos kanë mposhtur pastër 3-0 Lihtenshtajnin në takimin e parë miqësor në prag të Kampionatit Europian Gjermani 2024. Një ndeshje e dominuar nga ekipi ynë kombëtar, që gjeti rrugën e rrjetës me anë të Brojës, Asanit dhe Muçit. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “Supersport”.
Broja: “Gjërat me klubin nuk shkojnë gjithmonë siç do ti. Por e vendos trajneri dhe nuk ke çfarë t’i bësh. Por kur vij këtu kam një emocion tjetër. Këtu luaj ashtu si dua unë, futbollin që më pëlqen. Kur je i qeshur dhe argëtohesh në fushë luan futboll më të bukur. Gjithmonë kam qenë gati. Trajneri zgjedh ekipin dhe unë vetëm jap maksimumin. Jam këtu për të ndihmuar ekipin me gola, me asiste me performanca të mira. Jam sulmues dhe sulmuesi këtë detyrë ka, për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë jam këtu. Shpresoj që Zoti të më ndihmojë mua që të shënoj sa më shumë për Kombëtaren. Jam shumë mirë nga ana fizike. Kam punuar edhe vetëm për të qenë në formën maksimale. Besoj se kam kthyer si para dëmtimit. Sapo u ktheva, të gjithë çunat ishin shumë të mirë me mua. Kemi shumë skuadër të bukur dhe të fortë. Shkojmë të gjithë mirë bashkë. Edhe jashtë stërvitjes rrimë të gjithë bashkë. Trajneri na ka bashkuar si ekip. Luajmë edhe për tifozët. Sa herë vij këtu më japin një dorë për të më mbështetur. I falenderoj të gjithë shqiptarët”.