Mbrojtësi me eksperiencë i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli për gjendjen e skuadrës në prag të dy sfidave të fundit eliminatore të Europianit Gjermani 2024.
Shkodrani deklaroi se skuadra vlerëson maksimalisht kundërshtarët dhe do të kërkojë maksimumin në të dy ndeshjet, për t’u dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.
“Janë dy finale shumë të mëdha për ne, por duhet të mendojmë për Moldavinë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe kundërshtari po kalon një formë shumë të mirë. Ne e dimë mirë që do të shkojmë atje për të mos humbur, pasi edhe një pikë na nevojitet për t’u kualifikuar, por do të ishte edhe më bukur po të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve.”
“Kanë lidhje, por si ndeshje duket më e thjeshtë, pasi na duhet vetëm një pikë në dy takime. Është një ndeshje me peshë, pasi nëse fitojmë, do të kthehemi të kualifikuar dhe të bëjmë festë. Nëse humbim, do të na shtohet shumë presioni. Jemi të përgatitur për të shkuar dhe fituar, pasi duam të kthehemi të gëzuar dhe të festojmë me tifozët.”