Mario Mitaj është padyshim ylli i madh i Shqipërisë. Ky lojtar luan me një personalitet të madh, nuk ka frikë për të dribluar këdo i del përpara dhe jep spektakël në fushën e lojës.
Të gjitha aftësitë e tij i tregoi edhe kundër Suedisë, ku edhe pse kishte përpara yje të Premier League, ia doli me sukses dhe Silvinjo e quajti lojtarin e ndeshjes.
Juventusi ishte ekipi i parë i Serisë A që hodhi një vështrim nga Mitaj. Ishte vetë lojtari që në një intervistë për Koha Shtesë la të kuptohej se bardhezinjtë kishin një interesim për të, por nuk kishin bërë ende një ofertë zyrtare.
Por lista e ekipeve të interesuar për Mitajn është shtuar. Kështu mediat italiane bëjnë të ditura se Lacio ka hyrë në garë seriozisht për të marrë lojtarin e Lokomotivës së Moskës. Përveç Lacios, është edhe Bologna që e pëlqen këtë futbollist.
Si Juventusi ashtu edhe Bologna do të luajnë në sezonin e ardhshëm në Champions League, ndërkohë Lacio do të jetë pjesë e Europa League. Pra ende pa zbritur mirë në fushën e blertë, Mitaj duket se ka siguruar gjithçka për sezonin tjetër ndërsa nëse gjithçka do të shkojë në përsosmëri dhe Shqipëria do të shkojë larg në Europian, Mitaj mund të kalojë direkt në ekipet e klasit të parë.