Berat Gjimshiti zhvilloi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me Atalanta-n në UEFA Europa League në sfidën e dytë çerekfinale ndaj Liverpool-it, aty ku skuadra e tij siguroi kualifikimin historik për në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.
Kontributi i kapitenit të Kombëtares shqiptare në prapavijë ishte i jashtëzakonshëm, duke ndalur aksionet e rrezikshme të lojtarëve të Liverpool-it dhe në fund u përzgjodh nga UEFA si lojtari më i mirë i sfidës.
Por jo vetëm kaq, pasi UEFA hapi votimin për të zgjedhur edhe lojtarin më të mirë të raundit të dytë të çerekfinaleve të Europa League, çmim që është fituar nga kapiteni i Kombëtares shqiptare.
Gjimshiti ishte në garë me Jordan Veretout, Gianluca Mancinin dhe Matej Kovar që shkëlqyen me paraqitjet e tyre, por tifozët kanë përzgjedhur si lojtarin e raundit kapitenin e Kombëtares kuqezi.