Trajneri Sylvinho publikoi ditën e sotme listën e lojtarëve të grumbulluar për Euro 2024. Në këtë listë të përbërë nga 27 lojtarë, një nga këta do të largohet para 7 qershorit.
Menjëherë pas konferencës për shtyp të trajnerit brazilian, lojtarët që kanë mbërritur në shtëpi kanë nisur punën.
Stërvitja e programuar në orën 18:00 pa në fushën e “Shtëpisë së Futbollit”, vetëm 8 lojtarë duke përfshirë 3 portierët, Strakosha, Kastrati e Simoni të cilët u shoqëruan nga trajneri i gardianëve, Ilir Bozhiqi.
Armando Broja dhe Jasir Asani janë dy nga yjet që kanë ardhur më herët në grumbullim dhe në mungesë të lojtarëve të tjerë kanë shijuar të dy një seancë masazhi.
Trajneri Sylvinho ndjek gjithçka nga zyra e tij në selinë e FSHF, ndërsa stafi i përbërë nga Zabaleta, Doriva, Bulku e Salihi diskutojnë me njëri-tjetrin në fushë. Pas disa minutave, kryetrajneri brazilian është larguar nga kompleksi duke në mungesë të një grupi më të madh lojtarësh.
Kujtojmë që të gjithë futbollistët do të grumbullohen në Tiranë më datë 29 maj, teksa 2 ditë më pas të gjithë do të nisen drejt Austrisë për të kryer fazën përgatitore në prag të miqësoreve ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit.