Së bashku me Sylvinhon në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe Taulant Seferi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare foli nga Hungaria, ku kuqezinjtë po zhvillojnë përgatitjet prej disa ditësh.
Ditën e nesërme do të luajnë miqësoren e dytë ndaj Azerbajxhanit, sfidë që do të startojë në orën 19:00. Një duel mjaft i rëndësishëm para se ekipi të niset për në Gjermani. Seferi thekson se skuadra është shumë e motivuar dhe në Kampionatin Europian do të japin më shumë se maksimumi për të marrë rezultate pozitive.
“Ndjesia me Europianin që po afron? Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë, me shumë intensitet. Është një ndjesi shumë e mirë, jemi krenar që jemi pjesë e kombëtares. Më e rëndësishmja është se jemi bashkë dhe të lumtur dhe mezi po e presim Europianin.
Konkurenca me Arbër Hoxhën? Është një talent i madh dhe jam shumë i lumtur që ka luajtur ndaj Lihtenshtejnit dhe luan për Shqipërinë. Kur ka konkurencë ekipi bëhet më i fortë.
E mendoje se brenda 2 sezonesh të jesh protagonist në Euro 2024? Futbolli ka ulje dhe ngritje, por unë gjithmonë kam ecur përpara dhe kam dhënë maskimumin për të arritur këtu. Kam punuar këtu dhe falë zotit të shkojë gjithçka mirë dhe të japim maksimumin në Gjermani.
Huazimi përfundoi në Emiratet Arabe, beson se Euro 2024 do të të sjellë një kontratë të re? Euro 2024 nuk e shikoj se do të sjellë një kontratë dhe nuk e mendoj si trampolinë. E shikoj si diçka shumë të magjishme për të gjithë shqiptarë. Pas Kampionatit Europain mbetet të vendoset për të ardhmen.
A ke ruajtur ndonjë gol për në Gjermani? Sulmuesit janë për të shënuar gola dhe shpresoj shumë që të ndodhë. Kemi përgatitur çdo gjë në detaje dhe do të bëjmë maksimiumin për të bërë sa më mirë.
Cila skuadër iu hap më shumë vështirësi? Padyshim që ndeshja nga ndeshja ndryshon. Të 3 ekipet janë të forta dhe ne kemi besim. Kemi punaur shumë dhe ne duhet të përgatitemi në maksimum për këtë sfidë. Kemi një shpirt luftarak dhe ne duhet të jemi të bashkuar për të bërë mirë. Ne jemi 1 dhe kjo do të jetë e mirë për kuqezinjtë.
Marrëdhënia me fanellën? Ne jemi shqiptar dhe jemi krenar për këtë fanellë që ne veshim. Padyshim kjo është një fanellë e rëndë dhe ne do të japim maksimumin për të arritur te rezultati që duam”, ka përfunduar sulmuesi kuqezi.