Kombëtarja e Shqipërisë më 16 qershor do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Euro 2024 kundër Italisë në Gjermani dhe të gjithë mezi po e presin.
Gjatë një interviste për Indeksonline.net, Valdet Rama tregon se kush ishte meritori që dërgoi Shqipërinë në Euro 2024. Ai po ashtu parashikon grupin ku gjendet fanella “kuqezi” dhe lojtarët që do bëjnë “nam” në këtë kompeticion.
“Unë besoj që Shqipëria ka një grup shumë të fortë dhe të gjithë normalisht e presin që të dalë prej grupit dhe ajo do ishte në favor tonin. Me pak fat mundet çdo ndeshje me fitu. Shqipëria e ka tregu kualitetin sidomos në grup. Çdo gjë është e mundshme. I uroj sukses”, tha fillimisht Rama
Shqipëria gjendet në një grup shumë të vështirë, madje shumë prej tifozëve e kanë quajtur si “grup i vdekjes”, kurse Rama mendon se nuk ka favorit, por duhet të ketë kujdes nga Kroacia, Italia dhe Spanja për shkak të përvojës.
“Unë besoj që tri kombëtaret janë të forta: Kroacia, Spanja ose Italia kanë një identitet të lojës të ndryshme, besoj se çdo lojë do të jetë e vështirë. Unë nuk besoj që do të ketë top-top favorit në këtë grup. Normalisht që Kroacia, Spanja dhe Italia me arritjet që i kanë pasur në këto kompeticione, si europiane dhe botërore, janë më të fortë dhe kanë përvojë. Por, besoj qe Shqipëria s’ka çka të fshehët prej tyre”, vazhdoi tutje për Indeksonline ish-futbollisti
Sylvinho dhe asistenti i tij Zabaleta qysh në sezonin e tyre të parë i dërguan “kuqezinjtë” në një kompeticion madhor siç është Euro 2024.
“Sylvinho dhe Zabaleta kanë qenë lojtarë të mëdhenj. Kanë bërë një punë të mirë, me kualifikimin në Euro 2024, në një grup që s’ka qenë i lehtë. E kanë një identitet të lojës që shihet dhe besoj që është një meritë e të dyve. Edhe Zabaleta ka një përvojë – sidomos që ka bashkëpunu me trajnera, si Pep Guardiola e të tjerë. Por edhe Sylvinho ka punuar me trajnera të mëdhenj, si Wenger”, u shpreh Rama
Ftesa e futbollistëve kosovarë, si Medon Berisha, Mirlind Daku dhe Arbër Hoxha?
“Berisha, Hoxha dhe Daku? I uroj sukses dhe gëzohem për ta. Për të gjithë lojtarët që kanë marrë ftesën është një ëndërr. I uroj shëndet dhe sukses të gjithëve.
Sa ka ndryshuar Shqipëria prej kohës kur keni qenë futbollist?
“Kanë ndryshu disa gjëra. Stadiumi është bërë shumë i bukur dhe u jep motivim lojtarëve dhe shikuesve. Atmosfera ka qenë fantastike sidomos lojërat e fundit. Edhe loja e Sylvinhos, po mundohet me punu shumë me lojtarë të rinj dhe po bën një futboll më ofensiv sesa që e kemi bërë më përpara”
Cili lojtarë do të dallohet gjatë Euro 2024?
“Kylian Mbappe, Jude Bellingham, Florian Wirtz dhe Jamal Musiala – besoj qe këta lojtarë do jenë në formë të mirë në Euro 2024.”
Si ka qenë ndjenja me bartë fanellën e Shqipërisë?
“Kjo është një ndjenjë që nuk përshkruhet, është një ndjenjë e mirë dhe ishte çdoherë kënaqësi të them të drejtën.
E ardhmja juaj?
“Si futbollist profesionist e kam ndërpre vitin e kaluar, por jam duke luajtur në një ekip në ligën e gjashtë në Gjermani. Jam duke kryer një shkollim në Hamburg. Tani po e shijoj kohën me familjen time dhe po përgatitem për të ardhmen, sepse besoj që do të filloj një rrugë e re për mua.”
Kujtojmë që fillimisht Shqipëria luan ndaj Italisë më datën 15 qershor, kurse ndaj Kroacisë më 19 dhe ndaj Spanjës më 24 qershor.