Ish sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit tek kombëtarja e Kosovës në futboll.
FFK dhe trajneri Franco Foda dje në një deklaratë të përbashkët – kanë njoftuar se Edon Zhegrova, Aro Muric dhe Florent Muslija janë përjashtuar nga grumbullimi i ‘Dardanëve’, shkaku i thyerjes së rregullave disiplinore. Megjithatë, ka shumë persona që mendojnë se pavarësisht gabimit të futbollistëve – FFK po tenton që të largojë vëmendjen nga humbja turpëruese 0:3 ndaj Rumanisë.
Salihu është një nga ta që e njeh shumë mirë Agim Ademin, pasi kishte punuar me vite me të – e tani thotë se kryetari Ademi po “shpik” probleme, për të larguar vëmendjen nga problemet tjera.
“Këta lidershipi, sidomos kryetarit që edhe emrin pom vjen gërrdi me ia përmend, në çdo moment kur ka probleme, e shpik një problem tjetër me tërheq vëmendjen. Para disa kohe, ka qenë i ndjekur nga Policia dhe ka ik nga ai hotel ku janë ata lojtarë – çfarë integriteti moral kanë ata që e udhëheqin, ma tregoni një person në FFK që ka një integritet të madh moral i cili mund të fol me krenari për futbollin e Kosovës e që ka njohuri? Nuk ka, sepse ata nuk lejojnë njerëz të tillë”, tha fillimisht Eroll Salihu.
Ai më pas thotë se lojtarët duhet denohen, teksa zbulon edhe disa detaje tjera nga grumbullimet e fundit.
“Lojtarët mujnë me bo gabim, siç e ka bo Murici edhe njëherë kur kam qenë unë, e ka marrë çantën u shku, ka ardhë ndeshjen tjetër. Por problemi është që unë e di më thellë situatën, lojtarët ma me endje nuk vijnë fare, sepse aty ka persona tash, përpara është ditë ren, nuk ka mujtë gjithkush me ardhë – në autobus s’ka hyp kërkush, tash aty ka sharje, hajgare, që gërrdi të vjen me qujtë reprezentacion. Në momentin që del një problem, ky shpik një problem tjetër me marrë vemendje, pas dy tri ditësh harrohet kjo punë – e përgjegjësinë e vet s’e merr për fat të keq. Unë kam shok e miq në UEFA e FIFA që më kanë thënë se nëse shteti juaj, i mbron këta njerëz, nga ne mos pritni asgjë”, përfundoi Salihu.