Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2024, me sfidën që është planifikuar të mbahet më datë 15 qershor në Dortmund.
Përzgjedhësi i Italisë, Luciano Spalletti, ka komentuar shortin duke vlerësuar lartë formën e Shqipërisë dhe mënyrën se si luajnë futboll.
“Për momentin Shqipëria është një nga më të fortat në qarkullim. Po luan futboll shumë të bukur dhe është në kushte fantastike. Të shohim a do të jetë në këtë nivel edhe në muajin qershor. Nuk mund të bëj parashikime”, ka thënë fillimisht Spalletti.
Kur u pyet për kundërshtarët e Italisë në grup, Spalletti tha se ka mundur të shkontë më mirë duke shtuar se të qenurit në vazon e katërt ka pasoja.
“Mund të shkonte më mirë. Të jesh në vazon e katërt ka këto pasoja, megjithatë jemi Italia dhe do t’i luajmë me krenari të gjitha ndeshjet. E nisim ndaj Shqipërisë, por është e vështirë të bësh parashikime tani. Do të shohim si do të jetë gjendja e fubollistëve atëherë”, u shpreh ai.
Në fund ai tha se e njeh mjaft mirë Shqipërinë jo vetëm për faktin se shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Serie A.
“Unë ju njoh edhe juve (gazetarët), jo më futbollistët. Di gjithçka për Shqipërinë”, përfundoi 64-vjeçari./ss