Arbër Hoxha të mërkurën ka zhvilluar stërvitjen e parë me Dinamo Zagrebin, ndërsa pritet të debutojë të shtunën në ndeshje përgatitore. Dinamo është duke u përgatitur në Rovinj, ndërsa të mërkurën luajti miqësore ndaj Triglavit, të cilën e fitoi 7:0. Hoxha nuk u aktivizua në këtë ndeshje.
Sulmuesi i krahut ka dhënë një intervistë për sajtin kroat “germanijak” dhe ka paralajmëruar kalimin te Shqipëria. Ai ka disa paraqitje për Kosovën në miqësore, ndërsa vitin e kaluar u pajis me pasaportë të Shqipërisë.
“Po, Kosova nuk më ka ftuar asnjëherë. Shqipëria më ka thirrur dhe më ka dhënë pasaportën. Besoj se së shpejti do të luaj për Shqipërinë. Shpresoj se do të shkoj në Evropian dhe do të luaj ndaj Kroacisë”, ka thënë Hoxha për sajtin kroat.
25-vjeçari te Dinamo kaloi të martën nga Slaven Belupo, ekipi tjetër kroat. Ai ka tri paraqitje për Kosovën, në ndeshje miqësore. Kishte luajtur ndaj Suedisë më 12 janar të vitit 2020 e më pas ndaj Guinesë dhe Gambisë në qershor të vitit 2021. Prej atëherë nuk është ftuar.
Pra nuk e ka fituar asnjëherë rastin vërtetë dhe tani mund të kaloi te Shqipëria. Në fakt te Shqipëria konkurrenca është shumë e madhe, ndërsa kalimi i Hoxhës te kuqezinjtë do të ishte tjetër humbje për përfaqësuesen e Kosovës.
Hoxha në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën, por synimin e madh e kishte Dinamon.