Mirlind Daku dhe Arbnor Muja janë afrimet që kanë ardhur së fundmi në Kombëtare. Të dy erdhën me bujë të madhe me Sylvinhon që i “rrëmbeu” falë momentit të mirë që lojtarët po kalonin.
Por ndoshta si Muja dhe Daku kanë pritur që të aktivizoheshin më shumë. Daku ka luajtur 115 minuta me fanellën kuqezi, ndërsa Muja ka në këmbë 126 minuta, duke llogaritur këtu edhe ndeshjen miqësore përballë Bullgarisë.
Por një “video live” në Instagram ku shfaqen Muja dhe Daku, ky i fundit ngre aludime duke ironizuar dikë.
“O u thy bre krejt, krejt u thy. O u knaqëm, u knaqëm. Kena ardhë për bankë rezervë, u knaqëm tu nejt. S’po na llogarit kërkush neve bre hiç”, është shprehur Mirlind Daku.
Nuk dihet nëse këtë ironi, futbollisti nga Gjilani e kishte me trajnerin Sylvinho që nuk e ka aktivizuar shumë, apo me analistët në Kosovë që e kanë sulmuar lojtarin në momentin që zgjodhi Shqipërinë. Shumë analistë në Kosovë janë shprehur se Daku dhe Muja nuk do t’i hynë në punë Sylvinhos dhe se ky i fundit i ka marrë në ekip për t’i lënë në stol.