Shumë pikëpyetje janë ngritur për mungesën e mundshme të Mirlind Dakut në EURO24. Veçanërisht pas lënies jashtë të këtij sulmuesi në ndeshjet miqësore të marsit të Shqipërisë kundër Kilit dhe Suedisë.
Megjithatë Daku e ka ngritur së tepërmi formën që prej asaj kohe dhe tanimë është nominuar për lojtarin më të mirë të vitit dhe sulmuesin më të mirë të vitit në Rusi. Në një deklaratë të fundit, trajneri i Rubin Kazan, Rashid Rakhimov, ka konfirmuar Dakun në listën e Europianit të Gjermanisë.
“Daku do të shkojë në Europian. Nuk kam dëgjuar ende gjë që mund të largohet. Kemi bërë një bisedë me të, i kam thënë që të rritet dhe të zhvillohet. Ka një siguri të madhe dhe potencial. Sigurisht, momenti i ndarjes do të vijë, por mos u nxitoni për këtë moment, së pari duhet të jetë një lojtar i qëndrueshëm dhe të tregojë nivelin e tij. Ne kemi krijuar një lloj varësie prej tij. Është e vështirë që të ingranohesh si Daku në Rusi pasi vjen nga Sllovenia. Me përmasat e tij, të kesh një driblim të tillë, shpejtsi dhe aftësi për të luftuar, vlen shumë. Patjetër që do të shkojë larg”, tha trajneri i Rubin Kazan.
Ndërkohë nga krahu tjetër, Mirlind Daku ka dhënë një prononcim në mediat në Rusi, duke shprehur sigurinë e madhe për të kryer befasinë. “Shqipëria është në grupin e vdekjes në Europianin e Gjermanisë, por ne kemi për t’i surprizuar të gjithë atje”, tha Daku.