Elseid Hysaj ishte i përzgjedhuri i FSHF për të dalë në konferencën për shtyp të ditës së sotme. Mbrojtësi i Kombëtares mes pyetjeve të shumta iu përgjigj edhe njërës që ishte shumë e drejtpërdrejtë.
Në një analizë të gazetës spanjolle ‘AS’ theksohej se pika e dobët e Shqipërisë ishte krahu i djathtë i mbrojtjes, aty ku luan ai. Mbrojtësi i Lazios u përgjigj duke treguar 12 vitet e tij në Serie A dhe se i njeh të mirat e gabimet e veta.
“Sa i përket analizave të mediave, që thonë që mbrojtja në krahun e djathtë është e dobët, unë po bëj gati 12 vite që luaj në Serinë A dhe e di potencialin tim dhe se ku gaboj. I di gjërat ku gaboj dhe ku bëj mirë. Po në këtë Europian do të jem i përqëndruar si të gjithë të tjerët, sepse e di këto ndeshje janë shumë të forta. Dhe shpresoj që të jap maksimumin për këtë fanellë, sepse nuk vij për pushime apo të luaj keq. Vij për të bërë më të mirën, të jap maksimumin, t’i ndihmoj lojtarët nëse mundem t’i ndihmoj.
Në kombëtare mund të thirresh ose jo, luan ose jo, por gjithmonë duhet të bëhësh pjesë e një familje dhe të japësh kontributin tënd, si jashtë si brenda. Edhe në momente të këqija dhe në momente të bukura. Ne i kemi kaluar këto momente, tani jemi në momentin e bukur dhe dua ta gëzoj dhe ta shijoj këtë Europian”, tha Hysaj.