Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024. Sfida e parë e kuqezinjve të Sylvinhos do të jetë më 15 qershor në orën 21:00 përballë Italisë, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Ditën e sotme lojtari kuqezi që foli para mediave, ishte Qazim Laçi. Mesfushori i Kombëtares u shpreh mjaft i motivuar, por sigurisht duke ditur cilësitë që kanë kundërshtarët. Ndër të tjera, Laçi thotë se lojtarët janë gati pasi e dinë peshën e fanellës për të cilën luajnë.
“Ne kemi ardhur deri këtu me meritë dhe në ndeshjen kualifikuese kemi dhënë maksimumin dhe kështu do vazhdojmë që të punojmë sa më mirë. Ato që kemi bërë në stërvitje do mundohemi t’i nxjerrim në fushë. Ky është objektivi ynë, që në ndeshjen e parë të marrim maksimumin e pikëve. Më vjen mirë që të gjithë jemi të barabartë në Kombëtare prandaj ka marrë lojtarët më të mirë në dispozicion. Ka lojtarë të mirë në çdo repart, dhe të gjithë po japin maksimumin që Kombëtarja të arrijë sa më lart. Në mendje është vetëm që Kombëtarja të ecë sa më lart”, është shprehur mesfushori.
“3 kundërshtarët që kemi janë shumë të fortë? Çdo kundërshtar ka cilësinë e tij dhe është shumë e vështirë që të bësh një zgjedhje. Çdo ekip ka lojtarë me diferencat dhe karakteristikat e veta. Unë mendoj t’i marrim ndeshjet një nga një dhe më pas të shohim. Të gjithë lojtarët janë gati dhe shyqyr Zotit nuk kemi pasur dëmtime. Mezi po presim që të nisë Europiani. Ndeshja e parë do të jetë paksa me stres sepse është ndeshja e parë. Por nga ana e tjetër, lojtarët do të jenë shumë të motivuar dhe kjo do të jetë gjë pozitive për ne”, tha më tej Qazim Laçi.
“Gjithmonë po flasim dhe komunikojmë me njëri-tjetrin dhe këto lojtarë me eksperiencë që kemi po na ndihmojnë shumë si duhet të paraqitemi në çdo ndeshje dhe stërvitje”, u shpreh mesfushori me origjinë nga Dibra.
“Presioni në këtë grup? Ne kualifikuese kemi dhënë një figurë të mirë dhe dolëm në vendin e parë. E meritonim plotësisht diçka të tillë. Edhe në ndeshjen e Europianit do të jemi me këmbë në tokë. Sigurisht që është e vështirë sepse është grup i fortë dhe kundërshtarët kanë cilësitë e veta. Por ne do ta shijojmë dhe do të japim maksimumin, pasi kjo fanellë që po veshim, vlen shumë”, mbylli fjalën e tij Qazim Laçi.