Anthony Caci është një nga lojtarët që doli në “skenë” ditët e fundit, si një dëshirë e vjetër e Federates Shqiptare të Futbollit dhe ish-trajnerit të Kombëtares, Edy Reja.
Por për shkak se ky i fundit u largua shpejt, emri i këtij futbollisti që tani luan me Mainz në Bundesligën gjermane, iu paraqit edhe Sylvinhos.
Trajneri brazilian ishte prezent edhe në ndeshjen Frankfurt – Mainz në sezonin që lamë pas. Të gjithë menduan se arsyeja ishte Brajan Gruda, por jo, Sylvinho ka qenë në stadium pikërisht për Cacin. Duke parë aftësitë e tij dhe rolin e tij në krahun e majtë të mbrojtjes, Sylvinho sheh te Caci një profil mjaft interesant që mund ta ndihmojë Kombëtaren.
Kujtojmë që para se Sylvinho të fillonte “hulumtimet” dhe përndjekjen e lojtarit, ka qenë FSHF-ja që kanë tentuar të kontaktonin me të, por jo vetëm. FSHF-ja u mundua për të gjetur një lidhje të vogël me Shqipërinë nga familjarët apo menaxheri, por kurrë Federata nuk mori përgjigje.
Por kjo përgjigje ka ardhur nga vetë lojtari. Me anë të një postimi në Instagram, ku Anthony Caci është së bashku me vëllain e tij të vogël, ai shkruan në gjuhën shqipe: “Vëllai im”. Nuk dihet ende nëse ky është një “sms” drejtuar FSHF-së dhe Sylvhinos, por kjo është diçka që pritej prej kohësh. Tashmë pritet të shihet si do të veprohet me 26-vjeçarin dhe nëse ky i fundit do të vishet kuqezi, ku do të rivalizonte Mario Mitajn në krahun e majtë të mbrojtjes.
Kujtojmë që Caci ka luajtur 3 ndeshje me kombëtaren A të Francës, por duke qenë se ndeshjet ishin në lojërat olimpike, kjo nuk e ndalon aspak lojtarin që të zgjedhë një tjetër kombëtare.