Kampionati Evropian do të fillojë brenda dy ditëve, me emcoionet sa vijnë e shtohen.
Kombëtarja e Shqipërisë është gati për të nisur një tjetër mision historik në këtë kompeticion, me kuqezinjtë që po kryejnë përgatitjet e fundit para ndeshjes së parë.
Pavarësisht se është pjesë e një grupi shumë të vështirë, me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, Shqipëria nuk shkon asesi e dorëzuar, por me motivin dhe synimin e qartë për të bërë krenarë shqiptarët gjithandej botës.
Fakti që disa e shohin të pamundur suksesin e Shqipërisë brenda grupit mund të jetë motiv i shtuar, ashtu siç e kanë dëshmuar edhe në kualifikueset ndaj Polonisë e Çekisë, duke fituar totalisht grupin.
Dani Guiza është në mesin e sulmuesve më të mirë në histori të futbollit spanjoll, duke fituar ‘Euro 2008’ me Kombëtaren e Spanjës, gjë që është edhe suksesi më i madh në karrierën e tij.
Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, Dani Guiza ka komentuar mundësitë e kombëtareve në Grupin B dhe favoritët për të kaluar tutje.
Sipas tij, Spanja dhe Italia do të sigurojnë kalimin tutje, kurse Kroacia dhe Shqipëria, nuk shihen si kombëtare që mund të bëjnë një përparim të tillë.
“Mendoj që Spanja dhe Italia do të sigurojnë kalimin tutje dhe do të jenë kombëtare kryesuese në Grupin B”, tha fillimisht ai.
Më pas ai dha parashkimin e tij për fituesin të këtij Evropiani, ku sipas tij Gjermania dhe Anglia janë dy kombëtaret më favorite.
“Unë besoj që Spanja e ka fuqinë për ta fituar turneun, por kam dy favoritë edhe më të mëdhenj. Jam në mes Gjermanisë dhe Anglisë, por si favorite kryesore e kam Gjermaninë”, përfundoi Guiza.