“Kuqezinjtë” tanë nuk ia dolën të siguronin qoftë edhe një pikë, në sfidën e parë, të këtij edicionit, të Kampionatit Evropian të futbollit, teksa në “Signal Iduna Park”, të Dortmundit u mund me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, nga “Të Kaltërit” e Italisë, mirëpo zhvilluan një lojë fantastike, duke rivalizuar jo pak kampionët në fuqi të Evropës.
Pas mbarimit të ndeshjes disa fjalë i ka thënë edhe tekniku i Kombëtares, Sylvinho, i cili për mediat u shpreh se pavarësisht rezultati zhgënjyes, Kombëtarja bëri një lojë të madhe dhe më tej shtoi se ekipi u pa në vështirësi vetëm në 20-25 minutat e para të takimit.
Zhgënjim për rezultatin apo i kënaqur me lojën?
I zhgënjyer me rezultatin, por i kënaqur me atë që dhamë në fushë.
Çfarë kishte pozitive dhe çfarë nuk bëmë mirë?
Nuk bëmë mirë në 20-25 minuta e para, pasi ishin shumë të vështira për ne. Më pëlqeu që luajtëm ndaj Italisë kampione të Europës, në një atmosferë fantastike dhe ishim në lojë deri në fund për të marrë barazimin.
Dua të falënderoj të gjithë ata që ishin sot në stadium. Ishin shumë shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë që kemi bërë një rrugëtim fantastik, me shumë sakrifica, për të qenë në këtë Europian. Sigurisht që punojmë 12 orë në ditë për ekipin dhe jemi këtu për të fituar ndeshjet, por sigurisht u kam thënë futbollistëve të shijojnë më maksimum këtë shans për të luajtur në Europian.