Ndeshja me Italinë nuk ka kaluar pa pasoja në radhët e Shqipërisë, përtej startit me humbje të fazës në grupe të Euro 2024.
Kuqezinjtë janë kthyer gjatë ditës së diel në fushën stërvitore, por me një lojtar më pak, pasi një prej titullarëve fiks të kombëtares është lënë pushim nga trajneri Silvinjo.
Jasir Asani, si pasojë e goditjes që ka marrë në kavilje në rastin e golit të Barelës, ka ndjerë dhimbje dhe për të mos rrezikuar, stafi i përfaqësueses e ka lënë pushim sulmuesin anësor në stërvitjen e sotme e cila ishte vetëm altetike për të gjithë lojtarët që luajtën titullarë.
Gjendja e futbollistit do të vlerësohet në ditët në vijim, edhe pse raportohet se nuk është asgjë shqetësuese.
Asani është një nga lojtarët e paprekshëm të Silvinjos, i cili i besoi anësorit edhe pse ai kishte luajtur pak minuta me klubin e tij gjatë këtij viti.
Asani luajti 68 minuta në ndeshjen ndaj Italisë, duke regjistruar 22 prekje të topit, me 7 pasime të sakta nga 9 të tentuara, 0 nga 3 driblime të realizuara dhe vetëm 1 nga 8 duelet e fituara sipas të dhënave të SOFASCORE.