Kombëtarja shqiptare mbylli aventurën në Euro 2024 duke u renditur në vendin e fundit në Grupin B, me 1 pikë të marrë.
Shqipëria ishte në grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke barazuar vetëm me këta të fundit.
Teksa, ajo ç’ka mbetet për t’u parë pas Europianit të kuqezinjvë është çështja “Sylvinho”. Trajnerit i ka përfunduar kontrata dhe ende nuk dihet nëse braziliani do të rinovojë, apo do të vendosë që të ndajë rrugën me Kombëtaren kuqezi.
Në një prononcim të dhënë së fundmi për Top Channel, Sylvinho ka thënë:
“Sapo kam arritur në Porto, jam me pushime me familjen. Nuk di asgjë unë, nuk kam folur akoma me stafin (menaxherin). Do i kontaktoj javën e ardhshme”, ishin fjalët e 50-vjeçarit, duke lënë kështu hije dyshimi dhe mbajtur pezull të gjithë.