Kombëtarja e Zvicrës fitoi dje ndaj Italisë me rezultatin 2-0, për të kaluar në çerekfinale të Euro2024.
Freuler dhe Vargas realizuan golat në këtë sfidë, për të eliminuar kampionin aktual të Europës, përcjell GazetaBlic Sport.
Mediumi italian, Tuttomercatoweb, shkruan se Xhaka dhe Freuler e dominuan ndeshjen e djeshme.
“Freuler dhe Xhaka dominuan ndeshjen e djeshme ndaj Italisë, në një ndeshje që asnjëherë nuk ishte realisht në diskutim. Freuler, përveç golit të hapjes, e certifikoi paraqitjen me një ecuri të vazhdueshme, së bashku me Xhakën që nuk i la lojtarët tanë të preknin topin. Formë e shkëlqyer fizike dhe tani në çerekfinale zviceranët duan të vazhdojnë kështu”, shkruhet në postimin e Tuttomercatoweb.
Kujtojmë se Zvicra do përballet në çerekfinale me fituesin e duelit Angli – Sllovaki.