Kombëtarja shqiptare është ngjitur dy pozicione më lart në renditjen e FIFA-s. Nga vendi 67 tani Shqipëria renditet në vendin e 65, pas suksesit në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për UEFA Nations League.
Shqipëria triumfoi 1-0 në “Mikheil Meskhi” dhe pikërisht kuqezinjtë kanë kaluar në renditjen e FIFA-s Gjeorgjinë, por edhe Finlandën.
Shqipëria do të rikthehet në fushë në muajin nëntor për dy ndeshjet e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League, ndaj Çekisë (16 nëntor, 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45). Të dy ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” dhe Kombëtarja është në garë për vendin e parë në grupin B1.
Kombëtarja e Kosovës është ngjitur për tri pozicione më lartë në ranglistën e FIFA-s. Nga vendi 104, Kosova renditet në pozitën e 101, pas suksesit që pati në ndeshjet e fundit në UEFA Nations League.
Kosova arriti dy fitore gjatë muajit tetor, duke fituar ndaj Lituanisë dhe Qipros.
Ekipi “dardan” rikthehet në aksion gjatë muajit nëntor, ku do t’i ketë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombëve, ndaj Rumanisë me 15 nënëtor dhe ndaj Lituanisë në “Fadil Vokrri” më 18 nëntor.