Luftëtari shqiptar Gjoni Palokaj vazhdon ngjitjen e fuqishme në OKTAGON MMA dhe tashmë ndodhet përballë një prej dueleve më të rëndësishme të karrierës. Më 17 janar 2026, në PSD Bank Dome në Düsseldorf, ai do të përballet me britanikun James Hendin në peshën featherweight, përpara rreth 20 mijë shikuesve.
Palokaj, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit dhe i rritur në Gjermani, është aktualisht i renditur i gjashti në divizion, ndërsa Hendin mban pozitën e shtatë. Kjo përballje shihet si vendimtare për hyrjen në Top 5 të kategorisë dhe për një hap të madh drejt majës së organizatës.
Me bilanc prej 13 fitoresh dhe 3 humbjesh, si dhe një seri prej 7 fitoresh radhazi, Palokaj po konfirmohet si një nga luftëtarët më të rrezikshëm të OKTAGON, falë stilit agresiv dhe aftësisë për t’i përfunduar ndeshjet para kohe.
Sfida e 17 janarit pritet të jetë test i madh për shqiptarin, i cili synon të vazhdojë ngjitjen në OKTAGON dhe t’i afrohet ëndrrës për të garuar një ditë në UFC.

