Skuadra e Ballkanit sot përballet me Astanan në Kazakistan në kuadër të raundit të katërt të fazës së grupeve të Conference League. Ekipi kampion i Kosovës do ballafaqohet me Astanan nga ora 16:30 në ‘Astana Arena’.
Gazetari nga Kazakistani, Alim Dinassylov pret që kjo ndeshje të jetë mjaft interesante, por ai pret që ekipi i Astanas ta fitojë ballafaqimin me rezultat minimal.
“Të dyja skuadrat kanë nevojë për tre pikë sot për të vazhduar luftën për kualifikimin tutje. Gjithçka mund të ndodhë në këtë situatë, edhe pse ndeshja luhet në Astana. Megjithatë, parashikoj fitoren minimale të Astanës: 1:0 ose 2:1”, tha fillimisht Alim Dinassyolov për ‘GazetaBlic Sport’.
Dinassyolov thotë se futbollisti i Ballkanit, Almir Kryeziu është rreziku kryesor për Astanan dhe klubi vendas duhet ta ruajë atë nëse duan rezultat pozitiv.
“Kam vënë re që krahu i majtë i Ballkanit është i fortë. Almir Kryeziu, i cili ka asistuar në ndeshjen e parë është gjithmonë rrezik për skuadrën kundërshtare, ndaj Astana duhet të përpiqet ta mbulojë atë”, vazhdoi ai.
“Pas fitores në Prishtinë, tek klubi i Astanas filloi të kthehet shpresa. Mendoj se atmosfera është pozitive dhe lojtarët e Babayan janë gati të marrin tre pikët sonte”.
Në fund, gazetari nga Kazakistani ka potencuar se pritet atmosferë e mirë sonte në stadium, teksa pret rreth 20 mijë tifozë prezent në ‘Astana Arena’.
“Mendoj se stadiumi duhet të jetë plot sonte. Pashë reklamën në markete, njerëzit po kërkojnë biletat. Sipas mendimit tim, sot mund të presim të paktën 20 mijë tifozë në stadium”, përfundoi ai.
Astana dhe Ballkani kanë pikë të barabarta në renditje, me nga tri secila nga tri ndeshje të zhvilluara. Dy skuadrat në këtë duel do të futen për fitore, duke marrë parasysh se ky ballafaqim mund të jetë përcaktues në kalimin e grupit të kompeticionit të UEFA Conference League.