Kristjan Asllani e nisi ndeshjen kundër Bolonjës nga minuta e parë. Simone Inzagi i besoi mesfushorit shqiptar një vend titullari në skuadrën e tij në këtë takim të vlefshëm për Kupën e Italisë. 21-vjeçari luajti për 83 minuta me fanellën zikaltër, për t’i lënë vendin më pas Stefano Sensit.
Sipas “Sofascore“-t, Asllani ishte më i miri në fushë për Interin. Lojtari shqiptar është vlerësuar ne notën 7.7, e cila është edhe nota më e lartë për skuadrën zikaltër.
Pas tij, vlerësimin më të lartë e mban autori i golit të vetëm për skuadrën e Inzagit, Karlos Augustoja. Kujtojmë se Interi u mposht me shifrat 1-2 nga Bolonja në kohën shtesë, duke i dhënë kështu lamtumirën këtij kompeticioni.