Ish-futbollisti i njohur kosovar, Anel Rashkaj, e ka vlerësuar si të leverdishëm shortin e Kosovës në Ligen e Kombeve.
Në një intervistë për Indeksonline, mesfushori nga Prizreni ka thënë se Kosova mund të bëjë lojë të mirë, sidomos kundër Rumanisë.
“Kemi lujtë kundër tyre edhe më herët. Do të jetë një mundësi e artë të luftojmë për vendin e parë. Rumania është një kombëtare e fortë, por ne mund ta mposhtim. Ne kemi bë dy ndeshje kundër tyre, që kanë qenë të baraspeshume. Ne Rumani ndikoi pak ai kartoni i kuq që e morëm. Në këtë aspekt mendoj që pse jo, t’i qasemi ndeshjes në mënyrë ofansive që të shkojmë për fitore” ka thënë ai.
Rashkaj ka komentuar edhe thashethemet për trajnerin e ardhshëm të Kosovës, duke deklaruar se nëse i njëjti është gjerman, do të ishte një gjë shumë pozitive për “Dardanët”.
“Kanë qarkulluar emra të trajnerëve gjermanë dhe mendoj se kjo është pozitive. Gjermanët janë të njohur për një organizim të mirë dhe disiplinë të mirë. Emrat që janë përfolur shihet që kanë qenë në Bundesligë dhe kanë pasur ekipe të Bundesligës, kështu që janë trajnerë që dinë. Kanë përvojë ndërkombëtare dhe mendoj se do të ishte pozitive për Kosovën.”
6-shi i “Dardanëve” nuk ka përjashtuar mundësinë që të ndihmojë Kosovën edhe nga stoli i teknikëve.
“Me kryetarin Agim Ademi kemi biseduar. Interesimi ka qenë i dyanshëm, edhe nga ana ime edhe nga ana e tyre. Të shohim si rrjedhin gjërat. Për momentin e kemi lënë të hapur këtë mundësi. Jam në krye të licencimit, deri kah muaji shtator apo tetor dhe pastaj të shohim. Absolutisht që me shumë kënaqësi do të kontribuoja për Kombëtaren e Kosovës” shtoi Rashkaj.
Ai ka thënë se puna si trajner po shkon mirë dhe se momentalisht është në akademinë e Hamstad-it.
Ndiqni më poshtë intervistën e plotë: