Fahredin Duraku ishte i ftuar në “Radio Dukagjini” për të folur mbi futbollin Kosovar. I pyetur se përse nuk afrohet nga klubet në Kosovë për të dhënë kontributin e tij, ish-futbollisti shqiptar është shprehur se paragjykohet nga e shkuara e tij. Duraku ka përfaqësuar Ish-Jugosllavinë dhe ka zhvilluar karrierën e tij në Beograd, çka sipas tij ka bërë që të shihet me paragjykim nga drejtuesit e klubeve të Kosovës.
“E shoh që Fahredin Duraku nuk është i mirëseardhur në futbollin kosovar. Me sa kam dëgjuar dhe me sa po më flasin shokët nga anash, po më thonë: ‘Fahredin (nuk të duan) për shkak se ke luajtur në Beograd deri në 92-shin’. Mirëpo Fahredini nuk ka shkuar atje për të bërë politikë. Kam shkuar atje për të luajtur futboll. Ka qenë nder, pas Fadil Vokrrit, unë kam më shumë ndeshje në përfaqësuese. Kemi luajtur 3-4 ndeshje së bashku, qoftë kundër Anglisë, qoftë kundër Austrisë, qoftë kundër Turqisë. Unë luaja për U21-shat, Fadili (Vokrri) i ndjerë luantë për A-në. Një ditë përpara se të luanim më tha: ‘Fahredin, eja t’i tregojmë këtyre njerëzve që edhe ne dimë, edhe ne kemi karakter, edhe ne jemi dikushi’. Unë isha në lojtarët më të mirë dhe vinte më përqafonte. Më përqafonte dhe më thoshte: “Fahredin, tani më lër mua. Nesër do të tregoj karakterin tim se si dimë ne kosovarët të jemi më të mirë se ata”.
Unë kam qenë një lojtar profesionist, që kam pasur një kontratë 4-vjeçare. Duhet të rrija dhe 1 vit. Liga jonë e ish-jugosllavisë u shpërnda, kroatët u ndanë. Unë i kërkova kryetarit: ‘Kryetar, të lutem! Unë vij prej një kombësie tjetër, vij prej një feje tjetër. A ka mundësi (të largohem)’? Ai nuk donte kurrsesi. Trajneri hyri përpare, Milaniçi, dhe më tha: ‘Fahredin, rri edhe 1 vit. Në vitin 93 do të transferohesh në Oviedo ose në La Korunjë’. Unë nuk pranova. U largova dhe shkova në Turqi”, ka thënë Fahredin Duraku.