Shqipëria arriti të fitonte ndaj Ukrainës në shifrat 1-2. Kuqezinjtë kishin tre katër raste të pastra në pjesën e parë, ndryshe nga kundërshtari që nuk e rrezikoi asnjëherë portën tonë, por gjithcka u mbyll në 0-0.
Në pjesën e dytë djemtë tanë hynë me një mungesë përqendrimi dhe e pësuan në minutën e 48 nga Konopia. Për fat të mirë, Ismajli dhe Asani përmbysën ndeshjen. Por autori i golit, Konopia, ka çuditur pas ndeshjes me deklaratën e bërë duke krijuar iluzione për një tjetër panoramë ndeshje nga ajo që ndodhi në të vërtetë.
“Ndeshja ishte e vështirë, ne e dinim forcën e Shqipërisë dhe që është kundërshtar i parehatshëm. Në golat e pësuar gabuam shumë, ne kishim më shumë raste, më shumë gjuajtje në portë. E pësuam nga dy kundërsulme. Korne e tyre erdhi nga kundërsulmi, Shqipëria kishte shumë fat sot. Një kaos aty në zonë, topi shkon te lojtarët e tyre dhe futet goli. E zotëruam lojën, duhej të fitonim”, tha autori i golit te Ukraina.