Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajeti ka pranuar se kuqezinjtë do jenë në një grup shumë të vështirë në Euro2024, por sipas tij gjithçka është e mundur.
Shqipëria do garojë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën në grupin B, grup ky tepër i vështirë për djemtë e Sylvihnos.
Ajeti thotë se tek kombëtarja e Shqipërisë ka atmosferë fantastike, kualitet e gjithçka që duhet, andaj mund të ndodhë e papritura.
“Shorti ishte me ekipet më të mëdha të botës, me cilësi shumë të lartë – ne kemi kualitet, grup, besim e atmosferë dhe gjithçka është e mundur”, tha fillimisht Ajeti në emisionin SportON.
“Në futboll gjithçka është e mundur, me kualitetin që e kemi, mund edhe të triumfojmë. Si në vitin 2016, edhe tani, kemi atmosferë fantastike, nuk kemi asnjë problem mes njëri-tjetrit, për momentin kemi shumë cilësi dhe në ekip të mëdha”, tha ndër tjerash Ajeti.